01.07.2025. » 13:05 | ACDC


 Nismë për paraqitjen e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e ligjshmërisë



I nderuar z. Qelaj,

Në emër të organizatave të shoqërisë civile të nënshkruara më poshtë, ju drejtohemi me këtë nismë për paraqitjen e një Kërkese në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 32.1 të Ligjit për Noterinë (06/L-010). Ne konsiderojmë se ky nen nuk është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, e cila garanton përdorimin e barabartë të gjuhëve shqipe dhe serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë. Gjithashtu, mendojmë se praktika aktuale e punës së noterëve në Kosovë nuk është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe ndalimin e diskriminimit, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

nisme-per-paraqitjen-e-kerkeses-ne-gjykaten-kushtetuese-per-vleresimin-e-ligjshmerise
FOTO: ACDC

Neni i përmendur 32.1 i Ligjit për Noterinë përcakton se “Të gjitha dokumentet noteriale lëshohen në gjuhën shqipe ose serbe, në varësi të gjuhës që e njeh më mirë noteri që përpilon dokumentin”. Sipas nesh, kjo dispozitë përbënë mohim të drejtpërdrejt të nenit 5.1 të Kushtetutës së Kosovës dhe për këtë arsye është e nevojshme ndryshimi dhe plotësimi i kësaj dispozite në mënyrë që të përcaktohet se “dokumentet noteriale lëshohen në gjuhën e palës”, ashtu siç është detyrim për të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime publike.

Gjithashtu, paragrafët 2 dhe 3 të nenit 32 të Ligjit për Noterinë përcaktojnë se, në nivel komunal, palët kanë të drejtë të kërkojnë një kopje të dokumentit në gjuhën që dëshirojnë, si dhe që përpilimit të dokumentit t’i asistojë një përkthyes. Megjithatë, në praktikë, kjo e drejtë degradohet nga një e drejtë në një mundësi, pasi pala detyrohet të paguajë për shërbimin e përkthyesit, përkatësisht të përkthyesit të autorizuar gjyqësor.

Në këtë drejtim, theksojmë se Kushtetuta e Kosovës përcakton se: “Gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe” (neni 5.1). Gjithashtu, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve (02/L-037) përcakton se “Gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë status të barabartë në institucionet e Kosovës” (neni 2.1). Bazuar në analizën e kushtetutës, ligjeve dhe praktikës së zyrave noteriale në Kosovë, kemi arritur në përfundimin se të drejtat e serbëve për përdorimin e gjuhës serbe si gjuhë zyrtare po shkelen, përkundër garancive kushtetuese.

Në praktikën e punës së noterëve në Kosovë ekziston diskriminim sistematik ndaj komuniteteve jo-shumicë, në veçanti komunitetit serb, pasi dokumentet noteriale lëshohen ekskluzivisht në gjuhën shqipe, ndërsa përkthimi në gjuhën serbe mbetet barrë e palës. Kjo duket të jetë pasojë e paqartësisë së Ligjit për Noterinë, përkatësisht nenit 32, i cili u jep të drejtën noterëve të vendosin në cilën nga dy gjuhët zyrtare do të përpilojnë dokumentin, pa përcaktuar që përkthimi në gjuhën tjetër zyrtare – në këtë rast gjuhën serbe – duhet të mbulohet nga buxheti i Kosovës.

Rrjedhimisht, kemi arritur në përfundimin se e drejta e garantuar me Kushtetutë për shërbime në gjuhën serbe, si gjuhë zyrtare e barabartë në Kosovë, është duke u kufizohuar përmes detyrimit për të paguar për shërbimet e përkthyesve gjyqësorë me të cilët bashkëpunojnë noterët. Kjo praktikë përfshinë përkthimin konsekutiv (përkthim me gojë) të dokumentit si dhe përkthimin me shkrim sipas kërkesës së palës. Në lidhje me këtë përfundim, theksojmë se neni 2.1 i Ligjit për Noterinë përcakton se “Noteria është shërbim publik i cili ushtrohet nga noterët e emëruar nga ministri i drejtësisë (në tekstin e mëtejmë: ministri) në përputhje me dispozitat e këtij ligji.” Kjo dispozitë është në përputhje me faktin se shërbimet noteriale janë transferuar nga gjykatat te noterët në Kosovë.

Prandaj, të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime publike në Kosovë janë të obliguara t’i ofrojnë ato në të dyja gjuhët zyrtare në mënyrë të barabartë, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Çdo praktikë në kundërshtim me këtë përbënë shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, si dhe diskriminim të ndaluar si nga Kushtetuta e Kosovës ashtu edhe nga konventat ndërkombëtare.

Duke pasur parasysh të lartpërmendurat, propozojmë sa vijon:

  1. Paraqitjen e Kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 32.1 të Ligjit për Noterinë, në përputhje me nenin 113.2.1 të Kushtetutës së Kosovës.
  2. Nismë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë, veçanërisht nenit 32.1, në mënyrë që të përcaktohet se dokumentet noteriale duhet të lëshohen në gjuhën e palës/palëve.
  3. Dërgimin e shkresave institucioneve kompetente në lidhje me detyrimin për ofrimin e shërbimeve publike në gjuhën serbe, përkatësisht institucioneve në vijim: Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Odës së Noterëve dhe, krejtësisht në fund, të gjithë noterëve në Kosovë.

Presim përgjigjen tuaj lidhur me këtë nismë dhe ju falënderojmë paraprakisht.

Mitrovicë Veriore,

25 qershor 2025.

Nënshkruesit e iniciativës:

  • OJQ ACDC Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike
  • OJQ Aktiv
  • OJQ CASA Qendra për Veprim Social Afirmativ
  • OJQ NSI Iniciativa e Re Sociale
  • OJQ InTER Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial