21.09.2023. » 14:12 | ACDC


Vlerësimi i Gjendjes së Gjyqësorit dhe Policisë në veri të Kosovës



OJQ Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike organizoi konferencën më 19 shtator 2023, për të diskutuar mbi vlerësimin e gjendjes të institucioneve të drejtësisë dhe policisë në komunat veriore të Kosovës.

vleresimi-i-gjendjes-se-gjyqesorit-dhe-policise-ne-veri-te-kosoves
FOTO: ACDC

OJQ Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike organizoi konferencën më 19 shtator 2023, për të diskutuar mbi vlerësimin e gjendjes të institucioneve të drejtësisë dhe policisë në komunat veriore të Kosovës. Konferenca kishte për qëllim prezantimin e situatës aktuale pas tërheqjes së serbëve të Kosovës nga të gjitha institucionet e Kosovës. Përveç kësaj, konferenca synoi të eksploronte funksionalitetin dhe nivelin e besimit në mesin e komuniteteve joshumicë në këto institucione. Ngjarja përfshiu gjithashtu hulumtimin e realizuar nga OJQ ACDC, duke ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës dhe duke vlerësuar ndikimin e dorëheqjeve të serbëve të Kosovës në funksionalitetin e sistemit ligjor dhe të zbatimit të ligjit.

Në panel ishin z. Veton Elshani, Zëvendës Komandant i Policisë për Rajonin Verior; Lumnije Surduli, Administratore e Gjykatës Themelore në Mitrovicë; dhe z. Dushan Radakoviq, Drejtor Ekzekutiv i ACDC.

Konferenca filloi në ora 11:00 në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë. Moderator i konferencës ishte z. Aleksandar Rapajiq, Drejtor Programi në OJQ ACDC.

Në fjalën e tij hyrëse, z. Dushan Radakoviq paraqiti një pasqyrë retrospektive të procesit të integrimit të serbëve të Kosovës në sistemin ligjor të Kosovës, që nga Marrëveshja e Brukselit deri në largimin e tyre nga institucionet. Ai gjithashtu prezantoi rezultatet e hulumtimit të realizuar nga OJQ ACDC, hulumtim i cili ofroi një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës në komunat veriore dhe vlerësoi ndikimin e dorëheqjeve të serbëve të Kosovës në funksionalitetin e sistemit ligjor dhe zbatimin e ligjit.

Hulumtimi i titulluar “Vlerësimi i gjendjes së gjyqësorit dhe policisë në veri të Kosovës: Ndikimi dhe sfidat pas dorëheqjeve të serbëve të Kosovës”, është realizuar nga OJQ ACDC në kuadër të projektit që zbatohet në bashkëpunim me OJQ Aktiv, i mbështetur nga Byroja e SHBA-ve për Narkotikët Ndërkombëtarë dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL).

Hulumtimi theksoi se Gjykata Themelore në Mitrovicën Veriore është përballur me sfida të shumta që nga largimi i serbëve nga pozitat e tyre vitin e kaluar. Në muajt e fundit gjykata kryesisht ka trajtuar çështje urgjente që kanë të bëjnë me paraburgimin apo masa të tjera emergjente.

“Fusha më kritike ishte puna e Divizionit Civil pasi që pas dorëheqjes së shtatë gjyqtarëve serb kanë mbetur vetëm tre gjyqtarë shqiptar kosovar. Si rezultat, rreth 7000 lëndë janë në pritje në divizion. Sfidat kryesore në punën e tyre janë mungesa e gjyqtarët dhe personeli mbështetës, mungesa e përkthyesve, mungesa e zyrtarëve ligjor, rritja e numrit të lëndëve të pazgjidhura, rritja e ngarkesës së punës për gjyqtarët shqiptarë kosovarë dhe personeli mbështetës dhe programet e trajnimit për personelin administrativ dhe atë gjyqësor”, tha Dushan Radakoviq, Drejtor Ekzekutiv i ACDC.

Pas kësaj, z. Rapajiq, i’a dha fjalën z. Elshani, zëvendës komandant i Njësisë Rajonale të Policisë Veri, i cili dha njohuri për sfidat në rajon pas largimit të serbëve të Kosovës nga policia. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të komunitetit dhe ndërtimit të besimit midis të gjitha komuniteteve në veri për të rritur efektivitetin e forcave policore.

Ai përmendi gjithashtu se ka pasur një numër më të madh të rasteve që kanë të bëjnë me prishjen e rendit publik dhe dhunën në familje, të cilat janë në rritje. Ai tha se barrierat gjuhësore nuk janë një çështje e rëndësishme pasi ata përpiqen të kenë së paku një polic që flet serbisht në çdo patrullë.

"Ajo që mund të them është se situata është paqësore. Është duke u përmirësuar, por ajo që kam si informatë është se dikush në Serbi mund të shtyp një buton dhe mund të ketë probleme këtu. Kjo është një çështje politike," shtoi ai.

Rreth 550 policë të komunitetit serb u larguan nga policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, oficerët të rinj nga komuniteti serb janë rekrutuar në Njësinë Rajonale të Policisë Veri, por numri i tyre nuk është aspak i njëjtë me ata që kanë punuar atje. Mes tyre ka edhe ata që dhanë dorëheqjen nën presionin politik dhe publik.

Z. Elshani theksoi se tani në polici janë rreth 50 pjesëtarë të komunitetit serb, kështu që shtron pyetjen nëse do të ishte zgjidhje e mirë që ata që dhanë dorëheqje vitin e kaluar të kthehen dhe ta plotësojnë atë boshllëk.

Lidhur me pyetjen drejtuar z. Elshani për ndërtimin e një baze policore në Urën e Bistricës, ai tha se ajo aktualisht shërben për parandalimin e kontrabandës së mallrave dhe do të përcaktohet qëllimi i saj në të ardhmen.

Më pas, znj. Surduli shprehu mirënjohjen ndaj OJQ ACDC për mbështetjen që i kanë dhënë Gjykatës ndër vite, përfshirë angazhimin e përkthyesve dhe bashkëpunëtorëve ligjor. Lidhur me dorëheqjet e serbëve të Kosovës, ajo përmendi se ka një boshllëk të dukshëm që është vështirë të plotësohet, por stafi po mundohet maksimalisht që detyrat t'i kryejë në mënyrë profesionale dhe të mbetet funksional, pavarësisht se është i mbingarkuar me punë.

"Jemi të stërngarkuar me detyra. I gjithë stafi i mbetur është i angazhuar dhe me mbështetjen që kemi marrë nga ACDC në aspektin e bashkëpunëtorëve ligjor, po mundohemi që t'i plotësojmë nevojat e palëve sa më shpejt," tha Surduli.

Për dallim nga policia, ka më shumë shpresë se gjyqtarët dhe prokurorët serb mund të kthehen në gjyqësor nëse ka vullnet politik.

"Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk i ka pranuar dorëheqjet e punëtorëve serb, duke i lënë dyert e hapura për t'u kthyer pa procedura të rëndësishme. Supozimi im është se… është shumë e vështirë të zëvendësohet stafi gjyqësor, veçanërisht gjyqtarët", theksoi Aleksandar Rapajiq, drejtor program në ACDC dhe moderator i kësaj ngjarjeje.

Në përfundim, z. Radakoviq theksoi se OJQ ACDC ka një bashkëpunim të mirë me këto institucione dhe shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen sepse, siç tha ai, detyra kryesore e OJQ ACDC është që të avokojë për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e serbëve në veri të Kosovës.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të shumtë të ambasadave në Kosovë, dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë UNMIK-un, EULEX-in, KFOR-in, OSBE-në, si dhe përfaqësitë e ndryshme diplomatike.