25.08.2023. » 14:59 | ACDC


Takimi i ZYRËS së të Drejtave të Njeriut të UNMIK-ut dhe OJQ-ve: Adresimi i shqetësimeve për të drejtat e njeriut në veri të Kosovës



Më 23 gusht, OJQ ACDC organizoi takimin ndërmjet z. Jerome Bouyjou, Shef i Zyrës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut dhe Përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, dhe OJQ-ve nga veriu i Kosovës, duke përfshirë organizatat Aktiv, CASA, Domovik, ATRC, Qendra Humane në Mitrovicë, Santa Maria dhe ACDC.

takimi-i-zyres-se-te-drejtave-te-njeriut-te-unmik-ut-dhe-ojq-ve-adresimi-i-shqetesimeve-per-te-drejtat-e-njeriut-ne-veri-te-kosoves
FOTO: ACDC

Më 23 gusht, OJQ ACDC organizoi takimin ndërmjet z. Jerome Bouyjou, Shef i Zyrës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut dhe Përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, dhe OJQ-ve nga veriu i Kosovës, duke përfshirë organizatat Aktiv, CASA, Domovik, ATRC, Qendra Humane në Mitrovicë, Santa Maria dhe ACDC.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i zhvillimeve të vazhdueshme në veri të Kosovës dhe krizës mbizotëruese politike me ndikimin në të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.

Në fillim të takimit, z. Jerome theksoi se Zyra për të Drejta të Njeriut nga UNMIK-u është duke monitoruar nga afër situatën në veri dhe implikimet e të drejtave të njeriut dhe raporton në përputhje me rrethanat. Duke vepruar kështu, ndërvepron me të gjithë akterët relevant në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë dhe mbështet përpjekjet për avancimin e të drejtave të njeriut në dobi të të gjitha komuniteteve.    

Gjatë takimit, përfaqësuesit e OJQ-ve theksuan rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe shprehën shqetësimet me të cilat përballet komuniteti serb. Këto shqetësime përfshijnë çështje që lidhen me praninë e policisë speciale në veri të Kosovës dhe mungesën e besimit në mesin e banorëve, pavarësisht nga roli i synuar i policisë për t'i shërbyer popullatës së saj. Është thënë se individët nuk kanë ndonjë problem të veçantë me prezencën e policisë së rregullt, por se nuk e kanë kuptuar praninë e forcave speciale të policisë, të përqendruara vetëm në komunat veriore. Gjithashtu, është diskutuar edhe për reduktimin e paralajmëruar të pjesëtarëve të policisë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Siç theksuan anëtarët e OShC-ve, nuk kishte dallim nëse kishte pesë (5) pjesëtarë të policisë speciale apo tetë (8), pasi që komuna nuk mund të funksiononte fare kur ata ishin në ndërtesë. Shqetësimet shtesë të ngritura përfshinin ndalimin e produkteve serbe për të hyrë në Kosovë, mungesën e furnizimeve me ushqime dhe cilësinë e ushqimit në veri të Kosovës. Të pranishmit theksuan se kufizimet e Kosovës për mallrat nga Serbia po shkaktojnë probleme serioze në këtë zonë, duke përfshirë mungesën e medikamenteve si dhe produkteve të skaduara në supermarkete dhe dyqane. Shqetësime të tjera u ngritën për mungesat e dukshme të produkteve thelbësore, si qumështi, mishi dhe nevoja të tjera të përditshme. Edhe aty ku njerëzit mund të blinin këto produkte, u diskutua se çmimet ishin jashtëzakonisht të larta. Pjesëmarrësit vunë re se ky problem priret të rritet me kalimin e kohës.

Për më tepër, përfaqësuesit e OJQ-ve ngritën shqetësimet për fillimin e ardhshëm të vitit shkollor më 1 Shtator dhe sigurinë e fëmijëve, pasi shkollat ndodhen afër ndërtesave komunale, në veçanti në Zveçan, ku aktualisht ka Policinë e Kosovës dhe KFOR-in brenda apo në afërsi të saj. U theksua se për arsye sigurie, prindërit po shqyrtojnë mundësinë që fëmijët e tyre t'i dërgojnë në shkollat në Serbinë qendrore për shkollimin e tyre. Një arsye më shumë për dërgimin e fëmijëve jashtë Kosovës që u diskutua ishte ndalimi i teksteve shkollore serbe për nxënësit që vijojnë shkollën fillore në Kosovë. Siç u tha, nëse fëmijët nuk mund të merrnin tekste shkollore, ata do të detyroheshin të vazhdonin shkollimin në Serbinë qendrore.

Gjithashtu, fokus i veçantë iu kushtua rritjes së numrit të njerëzve që largohen nga Kosova, kryesisht për shkak të krizës së zgjatur politike dhe të sigurisë gjatë dy viteve të fundit. Sipas një studimi hulumtues të bërë nga një prej OSHC-ve pjesëmarrëse, një vlerësim i përafërt sugjeron se rreth 40,000 njerëz janë larguar nga Kosova gjatë 10 viteve të fundit. Ka arsye të ndryshme për këtë, por sipas tyre, jostabiliteti politik është arsyeja më e lartë.  

Diskutimi përfshinte edhe çështje të tilla si shpronësimi në Leposaviq dhe Zubin Potok, diskutimin publik që ishte organizuar pas shpronësimit të tokës. U përsërit se shumë banorë kishin ngritur padi dhe i kishin adresuar këto çështje në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë, por pa ndonjë progres deri më tani. Bazat e policisë janë ndërtuar para se të plotësohen kërkesat ligjore, pjesëmarrësit u shprehën dhe u tha se qeveria e Kosovës do të përpiqet të miratojë projektligjin e ri për shpronësimin për të riparuar parregullsitë ligjore përgjatë procedurave të deritanishme të shpronësimit. Në lidhje me këtë, të pranishmit theksuan se niveli i besimit ndërmjet banorëve dhe institucioneve ishte ulur jashtëzakonisht dhe se dialogu kishte bërë hapa të shumtë prapa që nga marrëveshja e Brukselit.

Në këtë drejtim, incidenti shqetësues me lëndimin e fëmijëve serb në Shtërpcë u përmend si shembull i neglizhencës së të drejtave të viktimave brenda komunitetit serb, me informatat të përmendura se autori ishte liruar.

Sfidat lidhur me pajisjen e dokumenteve personale u përmend gjithashtu si pjesë e problemeve të përditshme me të cilat ballafaqohet komuniteti serb që banon në komunat veriore. Në këtë kontekst, u konstatuan raste të shkeljes së të drejtave gjuhësore dhe se ky problem kërkonte vëmendje edhe nga niveli qendror dhe komuniteti ndërkombëtar.

Një çështje shtesë e përmendur në takim ishte përhapja e gjuhës së urrejtjes, e cila është rritur shumë shpejtë gjatë kësaj krize politike, theksuan të pranishmit, gjë që vetëm mund të përkeqësojë një situatë tashmë të vështirë, menduan bashkëbiseduesit.

Z. Bouyjou përfundoi duke shprehur mirënjohjen për të pranishmit dhe nënvizoi rolin jetik që OJQ-të luajnë në monitorimin e situatës së të Drejtave të Njeriut. Ai theksoi se Zyra për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e institucioneve dhe shoqërisë civile për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës.