03.07.2026. » 13:45 | ACDC


KOMUNIKATË PËR PUBLIKUN lidhur me shënimin e Vidovdanit 2026



Lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës para dhe pas shënimit të Vidovdanit në Gazimestan më 28 qershor 2026, si dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin disa persona u shpallën përgjegjës për kundërvajtjen e pretenduar të “sjelljes arrogante” sipas nenit 4, paragrafi 3 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, organizatat e shoqërisë civile të nënshkruara më poshtë shprehin shqetësimin e tyre për pretendimet serioze mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe garancive themelore procedurale, që nga veprimet e policisë deri te zhvillimi i procedurës gjyqësore.

komunikate-per-publikun-lidhur-me-shenimin-e-vidovdanit-2026
FOTO: ACDC

Policia e Kosovës, gjatë sigurimit të manifestimit fetar në Gazimestan, ka kryer kontrolle sistematike ndaj personave që merrnin pjesë në shënimin e Vidovdanit, ka kontrolluar në detaje sendet personale, ka konfiskuar sende dhe, sipas informacioneve në dispozicion, ka penguar në mënyrë selektive futjen e simboleve kombëtare dhe fetare serbe. Një praktikë e tillë ngre dyshime serioze se përbën kufizim joproporcional dhe diskriminues të së drejtës së pjesëtarëve të komunitetit serb për të shprehur lirshëm identitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe fetar. Është veçanërisht shqetësuese që kjo praktikë përsëritet prej vitesh, pavarësisht thirrjeve të ambasadave të vendeve të Quint-it dhe misioneve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave kushtetuese të të gjitha komuniteteve për përdorimin e simboleve.

Shprehim shqetësim edhe lidhur me pretendimet e personave të ndaluar për keqtrajtim fizik dhe psikologjik nga disa pjesëtarë të policisë dhe kërkojmë që këto pretendime të hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës.

E drejta për ruajtjen dhe shprehjen publike të identitetit garantohet me nenet 24 dhe 58 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe me nenet 9, 10 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenet 18, 19, 26 dhe 27 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Të gjithë personave të ndaluar më 28 qershor u janë konfiskuar dokumentet personale, të cilat nuk u janë kthyer as deri në nxjerrjen e aktgjykimit, edhe pse gjykata kishte urdhëruar kthimin e tyre. Shtetasve të huaj u është kërkuar të paguajnë menjëherë gjobat në mënyrë që t’u kthehen dokumentet dhe t’u mundësohet largimi nga Kosova, ndonëse aktgjykimi nuk ishte ende i formës së prerë, duke ua pamundësuar në praktikë ushtrimin e të drejtës për ankesë.

Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, pasi të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, nuk është zhvilluar procedurë provuese, nuk janë dëgjuar të akuzuarit, zyrtarët policorë apo dëshmitarë të tjerë, por gjykata në seancën e radhës ka shqiptuar drejtpërdrejt gjoba në shumën prej 700 eurosh.

Një veprim i tillë përbën mohim të së drejtës për mbrojtje dhe për mjet juridik efektiv. Gjithashtu, nuk është bërë individualizimi i përgjegjësisë, pasi aktgjykimi bazohet në përshkrime të përgjithshme të sjelljes pa përcaktuar veprimet konkrete të secilit të akuzuar.

Vlerësojmë se kualifikimi i sjelljes në kontekstin e brohoritjeve “Kosova–Serbia” dhe ngritjes së tre gishtërinjve nuk është në përputhje me qëndrimin e Gjykatës Supreme të Kosovës në lëndën 2019:139894, e cila, duke iu referuar praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka theksuar se liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur qëndrime personale për aq kohë sa ato nuk nxisin dhunë.

Me këtë janë vënë në pikëpyetje të drejtat e garantuara me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës së Kosovës, nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.

Si organizata që angazhohen për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, u bëjmë thirrje institucioneve kompetente, organeve të drejtësisë, institucioneve të pavarura për të drejtat e njeriut dhe misioneve ndërkombëtare që të shqyrtojnë ligjshmërinë e veprimeve të policisë dhe gjykatës dhe të sigurojnë mbrojtje të barabartë të të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa diskriminim mbi bazën e përkatësisë kombëtare ose fetare.

Nënshkruesit:

  • Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC)
  • Iniciativa e Re Shoqërore (NSI)
  • AKTIV
  • Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial – InTER
  • Center for Affirmative Social Actions (CASA)