05.07.2023. » 10:55


OP - ED - Forcimi i shtyllave kyçe të shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë



Shtyllat kryesore të shoqërisë: arsimi, shëndetësia dhe drejtësia – përballen me sfida serioze. Hanife Rushiti, magjistre e drejtësisë, tregon mungesën e cilësisë në sistemin arsimor, problemet në shëndetësi dhe inercinë e gjyqësorit në sanksionimin e gabimeve. Nëpërmjet tekstit të saj, autorja po ashtu thekson domosdoshmërinë e forcimit të këtyre shtyllave për të parandaluar largimin e mëtejshëm të popullsisë dhe krijimin e kushteve për prosperitet dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut në Kosovë.

op-ed-forcimi-i-shtyllave-kyce-te-shoqerise-per-mbrojtjen-e-te-drejtave-te-njeriut-ne-kosove

Çdo shtet demokratik në botë, bazamentin e funksionimit të tij dhe mirëqenies së tij e bazon në tri shtylla kryesore. Zakonisht, këto tri shtylla forcohen qysh në fazë fillestare të shtetbërjes apo edhe në fazë të tejkalimit të gjendjes së tranzicionit. Mirëpo, ekzistojnë raste kur këto tri shtylla mund të lihen anash… dhe çdo ‘ndërtim’ i ndonjë strukture tjetër, pa stabilitetin e këtyre tri shtyllave mund të ketë pasoja të përsëritshme.

Tri shtyllat janë tri sistemet; arsimi, shëndetësia dhe drejtësia. Të tre themelet duhet të jenë në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Për të qenë të qartë, Kosova është nënshkruese e shumë konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut, por këto tre shtylla të funksionimit të shtetit i mungojnë. Gjithashtu, këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Arsimi

Arsimi, shtylla e parë, shumë e rëndësishme, pa të cilën nuk bëhet dot shteti demokratik. Jemi dëshmitar të faktit të sistemit arsimor në vendin tonë, duke u nisur nga hapat e parë (arsimimi parafillor dhe fillor), i cili edhe pse ekziston në vendin tonë, rezulton të jetë jo aq i mirë për fëmijët tonë. Ligji ekziston, aktet nënligjore ekzistojnë, rregullore të ndryshme ekzistojnë, literaturat ekzistojnë, kurikulat mësimore ekzistojnë, mësimdhënësit ekzistojnë (edhe atë me dy ndërrime, para dite në shkollë publike, pas dite në kurse private), fëmijët me sukses të shkëlqyeshëm… edhe ata ekzistojnë, pra e gjithë infrastruktura e nevojshme ekziston, por kualitet nuk kemi, sepse kualiteti ekziston tek sistemi privat – sistem shkollor i marrur nga ndonjë shtet dhe funksionon.

Në këtë periudhë 23 vjeçare ende fëmijët tanë i marrin notat e larta në bazë të kombinimeve të kurseve private në lëndët mësimore të arsimimit publik. Ende mësimdhënësit i notojnë nxënësit, edhe pse e dinë që detyrat e shtëpisë u’a kanë kryer prindërit e nxënësve! Ende ‘pesëshet’ e shkëlqyeshme hedhin vezë (që i vjedhin nga shporta familjare) për t’i hudhur në sheshe gjatë “Halloëeen-it”. Ende gjejmë gabime në literatura shkollore. Ende, ende, ende… lista është e gjatë… por askush nuk e sheh veten sepse gjindemi në këndin e gabuar. Duhet të dalim në këndvështrimin tjetër, për të parë se nuk po funksionon sistemi i arsimit. Pra, duhet të marrim shembuj të sistemeve të mira arsimore dhe ti adaptojmë ato sisteme në sistemin e arsimit tonë. I kemi humbur 23 vite, por ja vlenë të humbën edhe 23 tjera vetëm se të pajisemi me një sistem të mirë arsimor.

Shëndetësia

Shembull: Nëse gabon një mjek gjatë operimit, pacienti humb jetën dhe fajësohet mjeku. Ky është rasti më i shpeshtë i drejtimit të gishtit për një jetë të humbur në një rast të caktuar. Saktë, mjeku gaboi, kryqëzohet, humb punën (ndoshta edhe nuk e humb), bëhet temë diskutimi gjithandej për tri ditë dhe pastaj vazhdon ‘normaliteti’. Po të funksiononte shtylla e parë, ky shembull ilustrues nuk do të ekzistonte fare. Ky mjeku që ka gabuar nuk do të ishte mjek fare. Sepse sistemi i arsimit nuk lejon që të gabohet në fushën e mjekësisë. Pra, të dy shtyllat janë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe paralelisht duhet të funksionojnë të dyjat.

Për mosfunksionimin e tyre kemi shembuj plot, por për funksionimin e tyre nuk kemi. Prap, duhet të marrim shembuj nga të tjerët. Çudi tek të tjerët edhe kjo shtyllë funksion më mirë se tek ne. Ende kemi raste kur “gabojmë në diagnozë”, kur preferojmë mjekun privat, ku sipas mundësive financiare gjejmë sigurim shëndetësor privat. Gjithashtu, kemi raste kur nuk funksionon as sistemi shëndetësor publik, e as ai privat dhe gjejmë ‘shpëtim’ në sisteme shëndetësore jashtë vendit.

Edhe këtu duhet të i humbim edhe 23 vite (paralelisht me sistemin arsimor) që të mësojmë një sistem të mirë shëndetësorë dhe ta aplikojmë si është më së miri. Po besoj se gjatë këtyre 23 viteve kemi arritur mjaft mirë të njihemi me sisteme shëndetësore shumë funksionale dhe moderne.

Drejtësia

Problemet e drejtësisë janë më të gjëra, por pa dashur të relativizojë trajtimin e tyre, do të bëjë një ndërlidhje me dy shtyllat e para.

Kur rastet e shtyllës së parë, dhe shtyllës së dytë kanë gabuar… shtylla e tretë do duhej të intervenonte dhe të sanksiononte t’parën e t’dytën. Pra, edhe atë mjekun që ka gabu ta denonte me denim meritor, edhe atë mësimdhënësin që e ka nxjerr kuadro të gabueshme, edhe institucionin arsimor i cili e ka licencuar mësimdhënësin, e plot tjerë në mënyrë zinxhirore. Por, as kjo shtyllë nuk funksionon. Organet e drejtësisë, janë në njohuri me të gjitha rastet të cilat janë shembuj ilustrues të lartcekur, por prap heshtin dhe nuk ndërmarrin asgjë.

Si duket, edhe individët të cilët janë kompetent në sistemin e drejtësisë kanë buruar nga shtylla e parë. Dhe nëse janë kuadro të gabueshme, natyrisht se duhet të përmirësohen. Edhe këtu kemi plot shembuj që kanë ngecur. Mijëra lëndë janë të patrajtuara me vite të tëra. Këto lëndë radhiten në bazë të prioritetit më të lartë deri tek prioriteti më i ultë. Pra, nëse një lëndë që është konsideruar me më pak prioritet, nuk është trajtuar me vite të tëra, atëherë gabimet në sistemin e shëndetësisë dhe të arsimit ku qëndrojnë për nga niveli i prioritetit?!

Si duket kësaj pyetje, duhet të ja gjejmë përgjegjjen në ndonjë sistem më të mirë të drejtësisë, dhe [prap] paralelisht me dy shtyllat tjera, në këto 23 vite të ardhme që mund ti humbim, të e gjejmë një sistem të mirë dhe të përshtatshëm dhe të funksionalizohet edhe kjo shtyllë e sistemit të drejtësisë.

Siq jemi mësuar të dëgjojmë për raste të ndryshme, edhe unë po e përmbylli me një fjali identike sikurse organet e sistemit të drejtësisë ‘hetimet vazhdojnë’.

Shtyllat jofunksionale të arsimit, shëndetësisë dhe drejtësisë mund të ndikojnë negativisht në të drejtat e njeriut në Kosovë. Këto shtylla kyçe të shoqërisë duhet të jenë bazë për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe të begatë në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë, me qëllim të tejkalimit të problemeve sociale dhe arritjes së përparimit në Kosovë. Shoqëria, qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të punojnë së bashku për të forcuar këto shtylla kryesore. Ruajtja dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të jetë një themel solid i çdo shteti.

“Mbetet të shihet” pas 23 viteve, a do të përmirësohen këto tri shtylla. Deri tash, këto tri shtylla mund të konsiderohen arsye shumë të fuqishme për popullin e një vendi që të gjej zgjidhje më të mirë jetësore përmes migrimit në shtetet të tjera. Kur të zbrazet vendi dhe të mos ketë popullatë të nevojshme, atëherë as këto tri shtylla të mos ndërtohen fare.

 

Hana Rushiti – autore e këtij teksti, ka përfunduar studimet master në drejtimin juridik – penal, në Universitetin e Prishtinës. Lindur e rritur në Mitrovicë. E martuar, nënë e tre fëmijëve.

 

 

Ky publikim është realizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në veri të Kosovës”, i cili zbatohet nga OJQ ACDC. Projekti është pjesë e programit JUST REACT, i zbatuar nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF) dhe Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GLPS), me mbështetje financiare nga Komisioni Evropian.

Ky publikim është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.