05.08.2026. » 13:10 | ACDC


DEKLARATË E ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE LIDHUR ME RRËNIMIN E OBJEKTEVE NË LIQENIN E UJMANIT



Ne, organizatat e shoqërisë civile të nënshkruara më poshtë, shprehim shqetësimin tonë serioz për mënyrën se si po rrënohen objektet në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe konsiderojmë se veprimet e institucioneve ngrenë çështje serioze lidhur me ligjshmërinë, të drejtën për mjete juridike, proporcionalitetin dhe barazinë para ligjit.

deklarate-e-organizatave-te-shoqerise-civile-lidhur-me-rrenimin-e-objekteve-ne-liqenin-e-ujmanit
FOTO: ACDC

Sipas informacioneve që disponojmë, në asnjërin rast pronarëve nuk u është dorëzuar ndonjë vendim i organit kompetent me të cilin urdhërohet rrënimi. Pronarët kanë pranuar vetëm njoftime nga ndërmarrja publike Ibër-Lepenc. Një njoftim i tillë nuk mund ta zëvendësojë vendimin formal të organit kompetent gjyqësor, inspektues apo administrativ, ndaj të cilit pronari mund të ushtrojë ankesë ose ndonjë mjet tjetër juridik.

Ligji nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative përcakton parimin e ligjshmërisë (neni 4), parimin e proporcionalitetit (neni 5) dhe të drejtën për mjete juridike (neni 13). Ligji nr. 04/L-110 për Ndërtim rregullon mbikëqyrjen inspektuese dhe rrënimin e objekteve. Nëse nuk ekziston vendim i organit kompetent, duhet të shpjegohet se në bazë të cilit akt juridik është kryer rrënimi.

Veçanërisht shqetësues është fakti se policia po ofron asistencë gjatë rrënimeve, ndonëse pronarëve nuk u janë dorëzuar aktvendimet e organeve kompetente. Asistenca policore nuk mund ta zëvendësojë vendimin e organit kompetent dhe as të krijojë vetvetiu bazën juridike për rrënim. Institucionet duhet të shpjegojnë se në bazë të cilit akt të ekzekutueshëm ndërhyn policia dhe kush e ka lëshuar urdhrin për angazhimin e saj.

Problem shtesë paraqet rrënimi i objekteve përderisa pranë gjykatave janë ende në zhvillim procedurat e iniciuara nga pronarët e tyre. Rasti i fundit i tillë është rrënimi i motelit “Jezero”, pavarësisht se seanca gjyqësore pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë ishte caktuar për 12 gusht 2026. Rrënimi para përfundimit të procedurës gjyqësore mund ta bëjë mbrojtjen gjyqësore të pakuptimtë, ndërsa një vendim eventual në favor të pronarit praktikisht të pazbatueshëm, duke vënë kështu në pikëpyetje të drejtën për mbrojtje efektive gjyqësore dhe për mjete juridike efektive.

Rëndësi të veçantë kanë çështja e proporcionalitetit dhe ajo e pritshmërive legjitime. Shumë nga objektet ekzistojnë prej një ose më shumë dekadash, në to janë investuar mjete të konsiderueshme financiare, ndërsa më parë nuk ka pasur paralajmërime nga inspektorati dhe as vendime për rrënim. Mosveprimi shumëvjeçar i institucioneve, pavarësisht ekzistimit të informacioneve të qasshme publikisht për ndërtimin e objekteve në Liqenin e Ujmanit, është relevant për vlerësimin e sigurisë juridike dhe të pritshmërive legjitime.

Në këtë drejtim, theksojmë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në çështjen Hamer kundër Belgjikës, ka vënë në dukje se tolerimi afatgjatë i një objekti nga autoritetet mund të jetë relevant për ekzistimin e pritshmërive legjitime dhe për vlerësimin e proporcionalitetit të rrënimit të mëvonshëm. Megjithatë, Gjykata nuk konsideron se tolerimi, në vetvete, e legalizon ndërtimin pa leje.

Duke pasur parasysh se disa prej këtyre objekteve janë shtëpi në të cilat njerëzit jetojnë realisht dhe të cilat janë ndërtuar disa dekada më parë, rrënimi i tyre përbën ndërhyrje në të drejtën për respektimin e shtëpisë, të garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mbrojtja e shtëpisë sipas Konventës nuk varet vetëm nga fakti nëse objekti është formalisht i legalizuar, por edhe nga lidhjet reale dhe të vazhdueshme të personit me atë vend. Gjykata Evropiane ka theksuar në veçanti se, në rastin e rrënimit të një shtëpie, duhet të mundësohet shqyrtimi individual i proporcionalitetit, duke përfshirë pasojat që rrënimi do të kishte për personin konkret dhe familjen e tij.

Nëse rrënimi arsyetohet me mbrojtjen e ujit, institucionet duhet të dëshmojnë ekzistimin e një rreziku konkret për secilin objekt dhe të shpjegojnë përse masat më pak kufizuese, përfshirë zgjidhjen e çështjes së ujërave të zeza, nuk janë të mjaftueshme. Në këtë drejtim, duhet theksuar se janë rrënuar edhe objekte që nuk ndodhen në bregun e Liqenit të Ujmanit.

Në fund, kërkojmë zbatim të barabartë të ligjit. Ekzistojnë objekte edhe në zona të tjera të mbrojtura, siç është rasti me objektet në Liqenin e Batllavës, ku pronarët e kanë ushtruar të drejtën për mjete juridike dhe rrënimet janë pezulluar deri në përfundimin e procedurave. Rast i ngjashëm është edhe ai i objekteve në Parkun Kombëtar “Sharri”. Prandaj, shembujt e tillë kërkojnë një shpjegim të qartë të kritereve në bazë të të cilave veprojnë institucionet.

Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, kërkojmë pezullimin e rrënimeve të mëtejshme, publikimin e të gjitha vendimeve, procesverbaleve të inspektimit dhe bazës juridike për asistencën policore, si dhe të dëshmive se pronarëve u është mundësuar ushtrimi i mjeteve juridike dhe se është kryer një vlerësim individual i proporcionalitetit.

U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të hapin dialog të drejtpërdrejtë me pronarët, ndërsa misioneve ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë që të përfshihen në mënyrë aktive në gjetjen e një zgjidhjeje që do të mbrojë njëkohësisht ligjshmërinë, interesin publik, mjedisin dhe të drejtat e pronarëve të objekteve.

  • Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC)
  • New Social Initiative (NSI)
  • AKTIV
  • Institute for Territorial Economic Development (InTER)
  • Center for Affirmative Social Actions (CASA)