20.02.2026. » 16:12 | ACDC
Prishtinë, 20 shkurt 2026 – Në hotelin “Sirius” në Prishtinë, më 20 shkurt 2026, u mbajt një tryezë e rrumbullakët kushtuar avancimit të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo-shumicë dhe forcimit të mekanizmave institucionalë për zbatimin efektiv të tyre.
Ngjarja u organizua bashkërisht nga OJQ ACDC dhe Institucioni i Avokatit të Popullit, në kuadër të një projekti që zbatohet me mbështetjen e UNMIK-ut, me qëllim të hapjes së dialogut ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile lidhur me gjendjen e të drejtave të komuniteteve, sfidat në realizimin e tyre dhe mundësitë për përmirësimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes.
Gjatë ngjarjes u prezantuan gjetjet dhe qëndrimet e Avokatit të Popullit mbi gjendjen e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e numrit të ankesave të paraqitura nga pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Institucionin e Avokatit të Popullit, krahasuar me vitin 2024. Ky trend, siç u theksua, tregon për sfida në rritje në realizimin e të drejtave të komuniteteve, por edhe për rritje të besimit të qytetarëve në punën e këtij institucioni.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe Jerome Bouyjou, Shef i Zyrës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut dhe përfaqësues i Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, si dhe Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime lidhur me sfidat kryesore me të cilat përballen komunitetet jo-shumicë, me theks të veçantë në përgjegjësinë institucionale dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Lajmet e fundit