16.10.2025. » 15:29 | ACDC


Shoqëria civile: KFOR-i duhet të marrë përgjegjësinë dhe të sigurojë mbikëqyrje efektive të sigurisë në veri të Kosovës



Më 16 tetor 2025, është regjistruar një incident ku pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë në territorin e pjesës veriore të Kosovës, me arsyetimin e policisë se bëhej fjalë për një njësi “të humbur”. Një arsyetim i tillë është i papranueshëm dhe shkakton shqetësim serioz te qytetarët, pasi tregon mungesë të thellë të kontrollit institucional dhe transparencës në fushën e sigurisë.

shoqeria-civile-kfor-i-duhet-te-marre-pergjegjesine-dhe-te-siguroje-mbikeqyrje-efektive-te-sigurise-ne-veri-te-kosoves
FOTO: ACDC

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës hyjnë në veri të Kosovës me shpjegime të cilat janë shumë të dyshimta, gjë që e thellon ndjenjën e pasigurisë në mesin e popullsisë lokale dhe tregon për dështim sistematik në mbikëqyrjen dhe koordinimin e strukturave të sigurisë, si dhe për politizim të mëtejshëm të institucioneve të sigurisë.

Sipas dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit dhe mandatit të përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, KFOR-i ka përgjegjësinë kryesore për të mbikëqyrur dhe garantuar regimin e sigurisë në veri të Kosovës. Ngjarja e sotme tregon qartë se kapacitetet operacionale aktuale dhe modeli i pranisë së KFOR-it nuk janë të përshtatura me rreziqet reale të sigurisë dhe dinamikën në terren.

Mungesa e reagimit të duhur dhe e mbikëqyrjes nga ana e KFOR-it vë në dyshim besimin e qytetarëve në garancitë ndërkombëtare të sigurisë dhe krijon tensione shtesë në një mjedis tashmë të brishtë të sigurisë.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje KFOR-it që:
• Të marrë përgjegjësinë e plotë për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të sigurisë në veri të Kosovës;
• Të rrisë praninë fizike dhe operacionale të njësive të tij në komunat veriore;
• Të vendosë mekanizma të qartë parandalues për të shmangur çdo aktivitet të paautorizuar të formacioneve të armatosura, përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në këtë pjesë të territorit.

Shoqëria civile nga veriu i Kosovës pret një qasje më vendimtare, më të përgjegjshme dhe më të dukshme të KFOR-it ndaj mandatit të tij, pasi stabiliteti dhe siguria nuk mund të mbështeten në njësi “të humbura”, justifikime apo keqpërdorime politike, por në besim, profesionalizëm dhe zbatim të qëndrueshëm të detyrimeve ndërkombëtare.

Nënshkruesit:
Qendra për Veprime Shoqërore Afirmaive
Aktiv
Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC)
Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial
Nisma e Re Shoqërore