12.06.2026. » 14:50 | ACDC
Më 11 qershor 2026, në Rezidencën Artistike të Mitrovicës u mbajt punëtoria “Qyteti im, Shtëpia ime, Rruga ime”, e cila mblodhi të rinj nga komuniteti lokal me qëllim që përmes artit të shprehin pikëpamjet e tyre për qytetin, hapësirat e përbashkëta dhe ndryshimet që dëshirojnë të shohin në mjedisin ku jetojnë.
Të frymëzuar nga mjedisi përreth dhe hapësirat që përdorin çdo ditë, pjesëmarrësit, pas një shëtitjeje të shkurtër nëpër qytet, realizuan vizatime dhe punime artistike përmes të cilave paraqitën idetë e tyre, perceptimin për komunitetin lokal dhe propozimet për përmirësimin e hapësirave ku jetojnë.
Në një atmosferë joformale dhe krijuese, të rinjtë patën mundësinë të diskutojnë për rëndësinë e hapësirave të përbashkëta, ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit dhe rolin që mund të kenë në krijimin e ndryshimeve pozitive. Punimet e realizuara gjatë punëtorisë pasqyruan perspektiva të ndryshme, por edhe një dëshirë të përbashkët për një mjedis më të rregullt, më të hapur dhe më të përshtatshëm për jetesë.
Punëtoria u realizua në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Aqvarius, në kuadër të projektit që po zbaton ACDC me mbështetjen e ATRC-së.


Lajmet e fundit