Personalisht, për ekzistencën e komunitetit për herë t’parë e kom marrë vesh prej filmave, e ka mujtë me u prezantu qaq bukur saqë ti nuk munesh me e perceptu si diçka jashta normales. Po mandej gjithçka jashta kohës televizive që u lidhke me temën u demonizojke.
Tronditjen e parë n’religjion e kom marrë kur e kom kuptu që Zoti e ka kriju popullin e Lutit e mandej i ka shkatërru, qaj që t’ka kriju t’fal nëse mundesh me u vetëmohu. Mu ka dokë shumë e padrejtë që akterët që jon kon të supozum me të dashtë pa kushte, si familja, shoqnia e Zoti, jon qaty për ty, nëse ti zvogëlohesh n’imazhin që ata e dojnë për ty. Kjo ke njo prej arsyeve që i kom nda rrugët me religjionin, mandej me ni pjesë t’komunitetit që jom rritë, e po edhe me të dashurin tem t’parë.
E n’ton qet rrugëtim kom mësu që me qenë aleat nuk domethonë me nejtë heshtazi me ni qosh kur njerëzit e tu ma t’afërt prej pakujdesisë që e kanë vazhdimisht cenojnë një komunitet t’caktum.
Deri ku shkon solidariteti kur përballë e ki unin ton tu u ça, se qata që dëmtojnë, nuk jon njerëz të huj që predikojnë, po janë bash njerëzit e tu. Injoranca kolektive mbijeton kur tu keshë kalon komentin e dostit n’kafe, shefit n’punë, e babës n’shpi. A nashta me folë o kosto ma e madhe për shkak që shkundet diçka nën kamë edhe etiketimet që s’pëlqehen tu ngjiten, se qysh ma mirë me shmangë diskutimin tu t’i minimizu vlerat në “sensitive”, “feministe” ose ose “lezbike”. Pak tronditëse për mu, me u përjetu qishtu. Parameno sa tronditëse për qat qikën që përnime osht pjesë e komunitetit. Qajo që për mu u kon ni përballje rreth vlerave, për dikon tjetër munet me përcaktu lirinë me ekzistu haptazi, me dashtë, ose me u ndi i/e sigurt mes njerëzve ma t’afërt.
Qysh dëshira për barazi munet me t’i sabotu lidhjet me njerëzit që i don? Mu m’ka kushtu ni marrëdhënie romantike, po u kon lehtë me u përhupë mes nevojës me u ndi që kom përkatësi në një person edhe nevojës me qenë përkatëse ndaj vetvetes tem. Se shoqnia nuk e riprodhon shtypjen veç përmes institucioneve, ajo din me u riprodhu edhe përmes familjes, dashnisë e religjionit.
Thënë kjo, unë e konsideroj solidaritetin si një akt të guximshëm. Sepse kur brenda një dinamike nuk ka vend për diskutim, siguria e miqve dhe njerëzve tanë të afërt mundet me u cenu pikërisht prej mendimeve që në pamje të parë nuk duken edhe aq të rrezikshme. Por këto mendime nuk ekzistojnë të izoluara. Ato janë pjesë e një narrative kulturore që e ushqen dhe e mban gjallë hegjemoninë, duke i privilegju disa njerëz e duke i shtypë të tjerët.
Kur heteroseksualiteti pranohet pa u qitë n’pikëpyetje, e dashnia e dikujt tjetër kontestohet, heshtja nuk ju shërben njëjtë dy palëve. Neutraliteti e len t’padiskutueshme qata që shoqnia e ka normalizu. E qata, edhe na që e kemi luksin me e shmangë këtë diskutim, duhet me marrë qëndrim. Që dikur, dikun, në Kosovën e lirë, një qike të vogël me mujtë me iu këndu “Nina nana, pllum i bardhë, e marrsh ni nuse me yll në ballë”, pa ia paracaktu kush ka me qenë personi që dashuron.
Aulona Peci