27.05.2026. » 16:09 | ACDC
Përjashtimi i studentëve serbë nuk është lëshim administrativ, por mekanizëm i diskriminimit institucional
Paketa më e fundit e ndihmës financiare dhe sociale për studentët ka përjashtuar sërish studentët që studiojnë në gjuhën serbe. Për këtë arsye, i drejtohemi opinionit publik, institucioneve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë me shqetësim serioz lidhur me vazhdimin e praktikës së përjashtimit institucional të komunitetit serb.
Bëhet fjalë për studentët e Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës dhe institucioneve të lidhura të arsimit të lartë që frekuentohen nga pjesëtarë të komunitetit serb, por edhe të komuniteteve boshnjake, rome dhe komuniteteve të tjera joshumicë.
Kushtet e aplikimit, regjistrimi i detyrueshëm përmes platformës “e-Kosova” dhe kërkesa që institucioni i arsimit të lartë të jetë pjesë e sistemit të akreditimit, në praktikë i kanë përjashtuar automatikisht këta studentë nga kjo masë.
Ky nuk është as incident dhe as lëshim teknik. Kjo paraqet vazhdimin e një modeli që është parë edhe gjatë paketave të ndihmës gjatë pandemisë COVID-19, kur të njëjtët studentë mbetën pa mbështetje në mënyrë identike.
Veçanërisht shqetësues është fakti se masa të tilla zbatohen pavarësisht kornizës ekzistuese juridike dhe politike. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parashihte obligimin për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, kompetencat e së cilës, sipas marrëveshjes dhe aranzhimeve zbatuese të vitit 2015, përfshijnë në mënyrë të qartë fushën e arsimit.
Trembëdhjetë vjet më vonë, Asociacioni/Bashkësia ende nuk është themeluar, pavarësisht obligimeve të marra qartë dhe insistimit të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare. Si pasojë, sistemi arsimor serb funksionon pa kornizën institucionale që Prishtina e kishte pranuar dhe më pas refuzoi ta zbatojë.
Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 solli obligim shtesë për të siguruar “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”, duke përfshirë garanci formale për institucionet ekzistuese. Asnjë nga këto obligime nuk është përmbushur.
Në vend të zbatimit të obligimeve të marra, masa administrative si kjo ngushtojnë sistematikisht hapësirën për funksionimin e komunitetit serb, ndërsa çështjet e pazgjidhura politike përdoren si instrument presioni ndaj njerëzve të zakonshëm, përfshirë studentët.
Një masë, kriteret e së cilës për qasje në ndihmë sociale prodhojnë pasoja disproporcionale negative për studentët që arsimohen në gjuhën serbe, përbën formë të diskriminimit indirekt.
Studentët që studiojnë në gjuhën serbe i realizojnë të drejtat e tyre përmes sistemit arsimor të Republikës së Serbisë, gjë që është legjitime, e bazuar ligjërisht dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Kërkojmë ndërprerjen e praktikës së përdorimit të kritereve administrative për përjashtimin e tërthortë të komunitetit serb nga masat sociale dhe, deri në zgjidhjen e çështjeve statusore përmes dialogut, krijimin e mekanizmave kalimtarë që ushtrimin e të drejtave sociale nuk do ta kushtëzojnë me pranimin e një kornize institucionale që ende mbetet objekt i procesit negociues.
Studentët nuk janë palë në dialogun politik. Ata nuk mund dhe nuk guxojnë të bartin pasojat e obligimeve politike të papërmbushura.
Përdorimi i ndihmës sociale si mjet i presionit politik, veçanërisht ndaj të rinjve, përbën praktikë të papajtueshme me vlerat që institucionet në Prishtinë formalisht pretendojnë se i mbështesin.
Presim një përgjigje të qartë, konkrete dhe të përgjegjshme.
Lajmet e fundit